Riprodhimi i farave të domates

Shumica e fermerëve  dhe e fshatarëve fatkeqësisht nuk praktikojnë ose nuk e kanë fare idenë e riprodhimit të farave, si dhe pse duhet bërë, cilat janë arsyet dhe benefitet e riprodhimit të farave, por gjejnë rrugën më të shkurtër duke i blerë farat dhe shpesh pa njohur prejardhjen e tyre, ose më keq akoma blejnë fidanë të gatshëm. Artikullin e ardhshëm do të ndalemi pikërisht mbi këtë temë mjaft të rëndësishme jo vetëm për fermerin por mbi të gjitha për konsumatorin dhe banorin e planetit Tokë.

Gjithsesi, për ata që kanë sadopak dëshirë të vetëprodhojnë farat e tyre sot do të shohim në lidhje me domaten, më të bukurën dhe dëshiruarën e perimeve, pasi është momenti i duhur. Proceset e riprodhimit dhe ruajtjes të saj janë fare të thjeshtë, por që duhen respektuar.

1. Zgjedhja
Fruti prej të cilit do të merren farat duhet të zgjidhet prej bimës më të fortë dhe të shëndetshme, pa sëmundje. Momenti i këputjes duhet ta ketë kaluar fazën e pjekjes për konsum normal, pra duhet të jetë i tejpjekur. Fruti i farave duhet të merret prej pjesëve më të poshtme të bimës, kati i parë.


2. Marrja e farave
Në fotot më poshtë ilustrohet se si domatja (këtu kemi varietetin dardhëz) pritet, shtrydhet në mënyrë që lëngu dhe farat të derdhen në enën që kemi në dispozicion, ku edhe do të rrinë për 3 ditë në një ambjent normal dhe larg dritës së diellit.



3. Pastrimi
Pas 3 ditësh do të vërejmë se në sipërfaqe do të jetë krijuar pak myk, kjo është normale dhe eviton transmetimin e ndonjë sëmundje të mundshme nëpërmjet farave tek bimët e reja. Farat shpëlahen me ujë të rrjedhshëm derisa të jetë eliminuar masa xhelatinoze.


4. Tharja
Farat e lara fërkohen e fshihen me letër thithëse apo copë të përshtatshme dhe lihen të thahen për 4-5 ditë në ambjent të ajrosur dhe larg dritës së diellit.

5. Ruajtja
Pasi janë tharë farat mund të futen në një zarf letre mbi të cilin mund të shkruani vitin e prodhimit dhe varietetin. Vendosini në një vend të ajrosur, pa lagështirë dhe pa dritë.
Farat e domates ruajnë fuqinë mbirëse për 4-5 vjet.

Tani që mësuat si përftohen këto fara, nuk keni më nevojë të bleni fidanë tek kopshtari.

Farat e bimëve janë pasuritë më të mëdha që gjenden mbi tokë, vlerësojini dhe ua transmetoni edhe të tjerëve, sidomos fëmijëve tuaj.

Nessun commento:

Posta un commento